


Biografia e Muhametit
Vitet e hershme; koha paraprofetike (571–609)
Muhameti lindi në qytetin e Mekkës si pjesëtar i degës së varfëruar të hashemitëve nga fisi mbizotërues me rëndësi i kuraish-itëve pas vdekjes së të atit të tij Abdullahut. Data e lindjes nuk dihet; datimi i lindjes së Muhametit në të ashtuquajturin vitin e elefantit është shumë i përhapur në botën islamike sot. Fakte të rëndësishme historike flasin kundra një datimi të tillë. Fushata e Abraha-s është bërë ndoshta më 552–554.[8]
Në moshën gjashtë vjeçare Muhametit i vdiq e ëma, Amina. Më pas ai jetoi tek gjyshi i tij, Abd al-Muttalib-i, pas vdekjes së të cilit e morri nën mbrojtje xhaxhai i tij Abu Talib-i (vëllai më i ri i të atit të tij) dhe kushërinjtë e tij (ndër të cilët Ali ibn Abi Talib-i, i cili u bë më vonë kalif). E ëma Amina vdiq si pagane. Në përmbledhjet më të vjetra të hadith-eve[9] shkruhet disa herë për vajtjen e Muhametit pranë varrit të nënës së tij, ku ai thuhet t'i jetë lutur zotit për faljen e Amina. Kjo thuhet (sipas ekzegjezës së kuranit) të ketë qenë shkas për zbulesën e sures 9, vargu 113
„Profetit dhe atyre që besojnë nuk u lejohet t'i luten (zotit) për të falur paganët, edhe sikur ata të jenë të afërmit (e tyre), pasi atyre t'u jetë bërë e qartë (përfundimisht), se do të jenë të burgosur (për shkak të mosbesimit të tyre kokëfortë) në zjarrin e ferrit.”
Në vitet e rinisë Muhameti ka punuar si bari dhensh, më vonë ai pretendohet të ketë marrë pjesë në dy udhëtime karvanesh tregtare për në veri, në Siri). Gjatë një udhëtimi tregtar në veri (sipas një legjende në një biografi mbi të, të fillimit të shekullit të 8-të) thuhet të jetë takuar me murgun e krishter Bahira-n, i cili pretendonte të kishte parë vulën e profetisë ndërmjet shpatullave të Muhametit, në të cilën ai pa shenja që gjendeshin gjoja edhe në shkrimet e çifutëve dhe të krishterëve. Referimi tek udhëtimet e tij tregtare, të cilat historiografia islamike nuk i përcakton qartë, shërben me sa duket si „kornizë“ për takimin e tij misterioz me Bahira-n, i cili përmendet si në trashëgiminë siriano-kristiane të shekullit të 9-të[10] ashtu edhe në „legjendat profetike“ (qi?a? al-anbiya?) islamike.
Sipas trashëgimisë islamike, Muhameti, përpara përvojës me zbulesën ndiqte traditën fetare të popullit të tij, e cila më vonë (sipas këndvështrimit islamik) u quajt si koha e xhahilijja-s. Ibn al-Kalbi († rreth 819),[11] hartuesi i „librit të idhujve“, citon Muhametin gjatë përshkrimit të idhullit (perëndisë pagane) al-uzza me këto fjalë „Unë i kam flijuar al-?uzza-s një dele nënë të bardhë kur ndiqja fenë e popullit tim.“[12] Edhe në biografinë e profetit janë trashëguar rrëfime që lënë të kuptojnë se Muhameti ka ushtruar zakonet paraislamike gjatë kohës së tij paraprofetike. Në sira-n, biografinë profetike të Muhammad ibn Ishak-ut, përshkruhet një takim i Muhametit me Zaid ibn ?Amr-in, të njohur në atë kohë. Muhameti thuhet, sipas tregimit, t'i ketë ofruar Zaidit mish nga „therorët (që u kemi flijuar) idhujve tanë“ por që konsumimin e të cilëve Zaidi e refuzoi si të papranueshëm. Nga kjo ditë trashëgimia e lë Muhametin të flasë, „nuk u kam flijuar më therorë idhujve, deri kur zoti më shquajti me mesazhin (zbulesën) e tij.“[13] Ky episod është rrëfyer shpesh nga brezat e mëvonshëm, nga al-Bukhari deri në kohën e adh-Dhahabi-t.[14]
Rreth vitit 595 i ofroi atij punëdhënësja e atëhershme e tij, e veja e dyfishtë e tregtarëve dhe 15 vjet më e madhe në moshë, Hadixha bint Huvailid (555–619), nga familja e fisit të mirënjohur kuraishit ?Abd al-?Uzza që të martohej me të. Me ndihmën e saj Muhameti arriti të bëhej i pavarur nga ana financiare dhe të sigurohet nga ajo sociale, një kthesë kjo vendimtarë në jetën e tij. Kësaj kohe i referohet edhe një sure mekkanase e kuranit
„A nuk të ka zgjedhur (zoti) si të urtë dhe (të) ka pranuar, të ka gjetur në rrugën e gabuar dhe të ka prirë në të drejtën, të ka gjetur të skamur e të ka bërë të pasur“ (936–7)
Sipas ekzegjezës së kuranit këto vargje bëjnë pjesë në pasazhet e kuranit, ku zoti i drejtohet Muhametit direkt. Ekzegjeza e sheh këtë përshkrim si pozitën shoqërore të Muhametit në Mekkë përpara zbulesave të para profetike.[15]
Hadixha ishte e para që besoi në mesazhin e Muhametit, prandaj historiografia islamike e konsideron atë si myslimanen e parë nga Mekka. Nga martesa me të, lindi e bija Fatima, e cila ishte e vetmja nga fëmijët e tij që pati vetë trashëgimtarë.[16] Prej saj e kanë prejardhjen të gjithë pasardhësit e Muhametit. Hadixha, Ali ibn Abi Talib-i dhe Abu Bakr-i, kalifi i parë pas vdekjes së Muhametit, ishin sipas traditës islamike myslimanët e parë.
Periudha e profetisë në Mekkë
Burimi më me rëndësi për përvojën e parë të Muhametit me zbulesat hyjnore është biografia profetike (sira) e Ibn Ishak-ut, e cila, në trashëgiminë e shkruar të historiografisë islamike, paraqet disa variante (interpolim dhe parafraza). Ato janë që prej një shekulli objekt studimesh nga ana e islamologjisë.
Muhameti e kishte bërë zakon që çdo vit të kalonte një muaj në malin Hira në afërsi të Mekkës për të bërë atje pendesë. Reth vitit 610 atij i është shfaqur, siç e ka dëshmuar vetë, kryengjëlli Gabriel (arabisht ????? „xhibril“). Rrëfimi i Ibn Ishak-ut e lë të flasë Muhametin si tregimtar i këtij episodi në ligjëratën e drejtë
„unë isha duke fjetur, kur (kryengjëlli Gabriel) erdhi tek unë me një shami të shkruar dhe tha ‚thuaje!‘ Unë iu përgjigja ‚nuk e them.‘ Aty ai më ngjeshi (shaminë) saqë m'u bë sikur po vdisja“. – Pas katër herësh urdhërimi, Muhameti pastaj pyeti „ç'të them – këtë e thashë nga frika se mos ai më mundonte prapë aq keq. Aty ai tha …”
Këtu vijon sure 96, vargu 1–5
„Thuaj në emër të zotit tënd që ka krijuar njeriun nga embrioni, thuaj,[17] …“
Ibn Ishak-u shkruan më tutje[18]
„Dhe unë e thashë. Ai më lëshoi dhe u zhduk, kurse unë u zgjova nga gjumi dhe mu bë sikur më ishin shkruar (këto fjalë) në zemër.“
Përvoja e parë me zbulesën hyjnore, siç e ka përcaktuar biografia profetike islamike, ka qenë pra një ëndër, në të cilën Muhametit iu kërkua të thotë [19] një tekst, siç thuhet, të shkruar, ndërsa në variante të tjera të trashëguara një tekst të folur me gojë.
Pesë vargjet e para të sures 96 paraqesin, siç pretendohet, zbulesat e para dhe në këtë mënyrë fillimet e profetisë së Muhametit.[20] Interpretime të tjera i shohin këto fillime tek sure 74, vargjet 1–7.[21] Muhameti ishte në këtë kohë afërsisht 40 vjeç. Në favor të këtij datimi është një pasazh në kuran vetë, ku thuhet
„Unë kam kaluar një jetë (të tërë) mes jush, përpara se të vinte ai (dmth. kurani).“ (1016)
nga mund të nxirret si përfundim se Muhameti ishte që përpara fillimit të zbulesës në moshë të përparuar; fjala ?umran („një jetë të tërë“) përfshin sipas kuptimit tradicional, rreth dyzetë vjet.
Në fillim, deri afërsisht më 614 (siç thuhet në rrëfimin e përmendur më lart të 'Urva-s drejtuar kalifit ?Abd al-Malik ibn Marvan), përfaqësuesit me influencë të kuraish-itëve, nuk kishin kundërshtim për idetë e Muhametit, të cilat ai i përhapte si publikisht ashtu edhe fshehtas („sirran“). Vetëm kur ai filloi të luftonte ikonolatrinë (adhurimin e ikonave, figurave të kultit pagan) dhe politeizmin e të parëve, u krijua një opozitë e fortë kundra Muhametit dhe ndjekësve të tij. Kjo u shpreh në një sërë ndërhyrjesh me dhunë ndaj myslimanëve të parë në Mekkë si dhe ndaj Muhametit vetë. Shumë prej tyre, siç thuhet në këtë rrëfim të vjetër, u distancuan nga Muhameti dhe vetëm „pak“ prej tyre mbetën „të patundshëm“.
Studimet mbi këtë periudhë të hershme profetie në Mekkë kanë treguar se ndjekësit e parë të Muhametit rridhnin nga shtresat e ulëta të shoqërisë së qytetit të Mekkës, të ashtuquajturit „musta??afun“, pjesa sociale e varfër e popullsisë tregtare të Mekkës. Në ecurinë e mëtejshme të ngjarjeve, mekkanasit u munduan t'u heqin myslimanëve bazën e ekzistencës me anë të bojkotimit tregtar duke bërë në këtë mënyrë që shfaqjet publike të Muhametit të marrin fund. Ai u morr në mbrojte, sipas ligjeve fisnore arabe, në shtëpinë e Arkam ibn Abi Arkam-it në Mekkë (rreth vitit 614) dhe urdhëroi (sipas përshkrimeve të historiografisë) një pjesë të ndjekësve të tij, të mërgojnë në Abisini (rreth vitit 615), në atë kohë qendër tregtare e mekkanasve.
Historiografët i klasifikojnë myslimanët e parë të periudhës mekkanase sipas këtyre ngjarjeve myslimanë që ishin bërë të tillë përpara hyrjes së Muhametit në shtëpinë e Arkam-it, myslimanë që u bënë gjatë qëndrimit të Muhametit atje dhe „mërgimtarët“ në Abisini.[22] Arsyet sociale ose madje ekonomike për mërgimin e mekkanasve në Abisini nuk përshruhen ose përshkruhen me konture të paqarta si fakte të izoluara në burimet e hershme arabe.
Periudha ndërmjet viteve 616–622 në Mekkë është pra historikisht e rekonstruueshme vetëm në konture, pasi rrëfimet kryesisht kundërthënëse të historiografëve më të vjetër janë vetëm pjesërisht të pajtueshme me kronologjinë e presupozuar (hamedësuar) nga ana e ekzegjezës kuranike (tafsir-it) të zbulesave në Mekkë. Përmbajtja e sureve të Mekkës lë të nxirret si përfundim se Muhameti e shihte veten si „paralajmërues“ (na?ir, arabisht ????) i popullit të tij; se ai toleronte shumë gjëra të status quo-së fetare në Mekkë dhe përpiqej të përhapte detyrime fetare të thjeshta dhe të kuptueshme
„Mua më thuhet vetëm që të jem (thjesht) një paralajmërues, jo më tepër.“ (3870)
„të bekuar janë ata besimtarë që janë të përulur në falje; fjalëve (të zbrazëta) nuk u vënë veshin, e respektojnë (detyrimin) e taksës së lëmoshës dhe janë të përmbajtur me marrëdhëniet seksuale, përveç me gratë të tyre …“ (231–6)
Mekka, vendlindja e tij, ishte edhe për të e shenjtë dhe vendstrehim për këdo, sipas ligjeve fisnore
„a nuk e shohin ata se kemi bërë (në zonën e Mekkës) një qark të shenjtë që është i sigurtë, ndërsa njerëzit përreth saj rrëmbehen (me dhunë)“ (2967)
Dalja e tij hapur kundra fesë politeiste në Mekkë megjithë njohjen e shenjtërores qëndore të gadishullit arabik (al-kaaba-s) (Qabesë), dështimi i përpjekjeve të tij për t'iu afruar banorëve të qytetit të Ta'if-it, shtypja e ndjekësve të tij në Mekkë dhe jo së fundi edhe vdekja e mbrojtësit të tij Abu Talib-it dhe e gruas Hadixha-s (rreth vitit 619) ishin arsyet e marrjes kontakt me banorët e Yathrib-it si fazë përgatitore e „hixhra-s“. Qytetarë me influencë të Yathrib-it, qytet i cili më vonë do të quhej „al-Madina“ (më saktë „madinat an-nabiy“, „qyteti i profetit“), i ofruan Muhametit dhe ndjekësve të tij, sipas ligjeve fisnore në atëhershme në fuqi, mbrojtje dhe siguri në qytetin e tyre duke e përcaktuar këtë në formë marrëveshjeje dikur rreth vitit 621–622. Në mënyrë retrospektive përshkruhet mërgimi për në Yathrib në disa vargje medinase të kuranit
„në qoftë se ju nuk e ndihmoni (profetin), (ai e ka të sigurtë ndihmën nga zoti), (se) zoti edhe (atëherë) e ka përkrahur, kur të pafetë e dëbuan atë vetë të dytë (nga Mekka). (Atëherë) kur ata ishin bashkë në shpellë dhe kur ai (dmth. Muhameti) i tha shokut mos u mërzit, zoti është me ne!“ (940)
Kjo është një aludim i qartë për hixhra-n (mërgimin) e Muhametit me shoqëruesin e tij Abu Bakr-in; Hollësitë mbi të i jep më vonë biografia e profetit. Aktiviteti i Muhametit në Mekkë dështoi jo vetëm përballë epërsisë së politeistëve por edhe për shkak të humbjes së bazës së mjaftueshme shoqërore në qarqet me influencë të qytetit. Mbërritja e tij në Kuba', në afërsi të Yathrib-it, është datuar (më vonë) në rabi’-n e 12-të të vitit hënor të parë islamik, më 24 shtator 622.
Ngjitja në qiell dhe „udhëtimi“ për në Jeruzalem
Historiografia islamike e pasuron periudhën profetike mekkanase me dy ngjarje të rëndësishme, të cilat do të karakterizonin aktivitetin e Muhametit në përgjithësi në të ardhmen
Ngjitja në qiell (al-mi?rag) nga shenjtërorja e ka?ba-s (Qabesë) në ditën e 27-të të ramazanit, 18 muaj përpara shpërnguljes në Yathrib dhe
i ashtuquajturi udhëtimi i natës (al-isra?) për në Jeruzalem që pretendohet të ketë ndodhur 17 ditë përpara hixhra-s për në Yathrib.
Historiografia nuk është e pasaktë vetëm në datimet por është e prirur të përmbledhë të dy këto ngjarje si një udhëtim i natës i Muhametit për në Jeruzalem. Pasi prej atje, prej malit (shkëmbit) të tempullit në Jeruzalem, mbi të cilin më vonë u ngrit Kupola e Shkëmbit (kubbat a?-?a?ra?), pretendohet të jetë ngjitur në qiell Muhameti. Më parë, sipas legjendës, ai drejtoi një falje me të gjithë profetët biblikë duke përfshirë këtu edhe Jezusin. Pas një takimi këshillues me zotin, Muhameti thuhet se u kthye bashkë me kryengjëllin Gabriel në Mekkë. Jeruzalemi (al-bait al-mukaddas; ose al-bait al-makdis) me xhaminë al-Aksa (al-masgid al-ak?a; shih suren 17, vargjet 1–2) zhvendoset që në këtë fazë të vonë të veprimtarisë së tij në Mekkë përpara mërgimit në Yathrib në qendër të krijimit të fesë së re monoteiste. Përveç nga historiografia, të dyja këto episode trajtohen edhe nga shkrimet tradicionale (hadith-i) dhe ekzegjeza e kuranit hollësisht dhe në mënyrë polemike për të harmonizuar (përshtatur, përputhur) mundësisht me njëra-tjetrën trashëgimitë e shumta në lidhje me suren 17, vargu 1 që prej shekullit të parë islamik. al-Tabari ka përmbledhur në komentimin e tij monumental të kuranit (tafsir-in) versionet kryesore të këtyre episodeve. Identifikimi i „shenjtërores së largët“ në suren 17, vargu 1, me Jeruzalemin, gjendet për herë të parë në ekzegjezën e hershme të kuranit, kur kalifi umajjad ?Abd al-Malik ibn Marvan tregoi interes për këtë vend të shenjtë si për të krishterët ashtu edhe për çifutët dhe filloi me ndërtimin e Kupolës së Shkëmbit. Këtu duhet vënë re se nën mbishkrimet në Kupolën e Shkëmbit, të cilat përbëhen pa përjashtim nga citate nga kurani, nuk bën pjesë sure 17, vargu 1. Edhe vetë në xhaminë al-Aksa përmendet ky varg i kuranit në një mbishkrim jo më parë se të shekullit të 11-të.[23] (Shih edhe Ngjitja në qiell e Muhametit)
Periudha e profetisë në Medinë
Yathrib-i, ose siç përdoret sot në arabisht, al-Madina, kishte në kohën e ndodhjes së hixhra-s strukturë të ndryshme shoqërore nga Mekka. Popullsia përbëhej nga fiset dhe nën-fiset rivalizuese me njëri-tjetrin të aus-ëve dhe hasraxh-ëve. Gjithashtu kishte edhe disa fise çifute, ndër të cilët banu n-nadir-ët, banu kuraiza-t dhe kajnuka'-t ishin ata më me influencë. Përveç këtyre ky qytet kishte edhe banorë që ishin bërë myslimanë përpara hixhra-s. Ndjekësit medinas quheshin „ndihmuesit“„përkrahësit“ (al-ansar). Përveç këtyre ishin edhe ndjekësit mekkanas të Muhametit, „të mërguarit“ (muhaxhirun). Ngulime të tjera çifute kishte në veri të Medinës afër Khaibar-it.
Detyra si dhe interesi fillestar i Muhametit ishte t'i bashkonte të gjitha fiset dhe nën-fiset e aus-ëve dhe hasraxh-ëve ashtu si dhe çifutët dhe të mërguarit nga Mekka, në një bashkësi të vetme (umma). Për këtë shërbente edhe e ashtuquajtura „marrëveshja e Medinës“, përmbajtja e të cilës është trashëguar në biografinë profetike të Ibn Ishak-ut dhe që autenticiteti i të cilës, me gjithë problemet e datimit, nuk vihet në dyshim nga islamologjia. Jo vetëm përfaqësuesve islamikë dhe çifutë të përmendur me emër u garantohen të drejtat e njëjta por edhe secila fe njihet si e tillë; çifutët përbëjnë kështu një umma (umet) bashkë me besimtarët (dmth. myslimanët) „Çifutët kanë fenë (din) e tyre dhe myslimanët fenë e tyre“. „Ansar-ët“ dhe „muhaxhir-ët“ gëzojnë barazi mes njëri-tjetrit. Muhameti përcakton qartë në këtë marrëveshje edhe pozitën e tij ai është „i dërguari i zotit“ dhe „profeti“ por e quan veten edhe thjesht me emrin e tij „Muhamet“ që në raste grindjesh thërritet si këshilltar. Këtu dallohen tiparet teokratike të umma-s së Medinës. Fiset dhe klanet e përmendura u garantojnë njëri-tjetrit mbrojtje; tokat përreth Yathrib-it janë për të gjitha palët e kontratës zonë e shenjtë. Të përjashtuar kategorikisht nga kjo marrëveshje janë politeistët („al-mushrikun“). Se si ishin hartuar në veçanti marrëveshjet me çifutët në Medinë dhe rreth saj, të përmendura në historiografinë islamike, nuk dihet saktësisht sot pasi kushtet përkatëse të marrëveshjes janë trashëguar në mënyrë shumë të ndryshme. Studiuesit veç supozojnë në thelb se ka pasur të tilla marrëveshje ose pakte mos-sulmimi mes Muhametit dhe popullsisë çifute në vend.[24]
Në fillim qëllimi i Muhametit nuk ishte distancimi kategorik nga „fetë e shkrimeve“ („ahl al-kitab“), pasi njohjen e feve të „të tjerëve“ të përcakuar në „marrëveshjen e Medinës“ të përmendur më lart, e gjejmë që në suren 109 („të pafetë“) të zbuluar në Mekkë
„O të pafe! Unë nuk adhuroj atë që adhuroni ju (…) Ju keni fenë tuaj, unë kam timen.“ (109)
E parë historikisht, kjo u adresohej në këtë kohë të profetisë, politeistëve, të cilët Muhameti kishte filluar t'i luftonte që në Mekkë. Në Medinë situata ishte në fillim krejt tjetër. Muhameti ishte i prirur të sanksiononte (˜importonte) disa gjëra nga ritualet e çifutëve, po ashtu siç arriti të integronte edhe ritet paraislamike në ceremonitë e pelegrinazhit
„As-Safa dhe al-Marva janë simbolet e kultit të zotit. Nëse dikush bën pelegrinazhin (e madh) për tek shtëpia (ka'ba) (Qabeja) ose vizitën (umra-n), nuk do të jetë mëkat për të, të kalojë edhe nga ata.“ (2158)
Këtë pasazh ekzegjeza e kuranit (tafsir-i) e ka pak të vështirë ta komentojë pasi në këto dy vende qëndronin në kohën paraislamike dy perëndi, Isaf-i dhe Na'ila, të cilat ishte zakoni që të vizitoheshin („tavaf“).
Në Medinë u shtua edhe agjërimi gjatë festës së ashura-s së çifutëve, sipas kalendarit islamik më 10 të muharremit; në këtë ditë bëhej agjërim, sipas zakonit çifut, nga perëndimi i diellit deri në perëndimin tjetër dhe jo si gjatë ramazanit, vetëm gjatë ditës. Nëse zhvendosja e të drejtuarit gjatë faljes (kibla) për nga Jeruzalemi ka marrë si shembull çifutët, kjo nuk është e sigurtë pasi edhe të krishterët e kishës orientale (lindore) luten në këtë drejtim.
Aktivitetet ushtarake („ghazavât“-i) të Muhametit dhe ndjekësve të tij
Pas hixhra-s, (arratisjes nga Mekka në Yathrib-in e afërm që do të njihej më vonë si Medina), Muhameti nuk ushtronte vetëm rolin e profetit por edhe atë të organizatorit shoqëror si dhe të udhëheqësit politik (dhe me kalimin e kohës të atij ushtarak). Gjatë muajve të parë pas hixhra-s, ai duket se e ka përmbajtur (frenuar) bashkësinë fillimisht të vogël myslimane (të përbërë nga të mërguarit nga Mekka, muhaxhir-ët, dhe nga përkrahësit (ansar) nga dy fiset e kaila-ve) nga konfrontimi me kuraish-itët.[25] Kurani dëshmon për këtë me vargun e mëposhtëm, ku duke vështruar në retrospektivë (në të kaluarën), në kohën e fillimeve të Muhametit dhe mërgimtarëve në Medinë, thuhet që myslimanëve u urdhërohet
„ ... hiqni duart (nga lufta) ...“ (477)
Më vonë u shpall si zbulesë vargu që më vonë është cilësuar nga ekzegjeza e kuranit si leja e parë për luftë[26]
„Atyre që luftojnë (kundra të pafeve) (sipas një interpretimi devijues; tekstualisht thuhet atyre që luftohen), u është dhënë leja (për luftë) sepse atyre u është bërë (më parë) padrejtësi. Zoti ka forcën për t'i ndihmuar.“ (2239)
Ky varg si dhe të tjerë të ngjashëm me të që u shpallën si zbulesë në sfond të luftimeve kundra kuraish-itëve, dhe të cilët konsiderohen si vargjet e para që legjitimojnë luftën kundra mekkanasve ose që bëjnë thirrje për të, kishin të bënin më tepër me emigrantët, jo me përkrahësit. Këta të fundit ishin zotuar vetëm për t'i ardhur në ndihmë Muhametit në rast se ai do të sulmohej nga dikush.[27]
Lufta e vërtetë kundra Mekkës u parapri nga ndërhyrje më të vogla, plaçkitjet e karvanëve nga Mekka.[28] Nga burimet historike, ndër të tjera disa vargje të kuranit[29], del se në këto sulmime merrnin pjesë pa përjashtim vetëm emigrantët.[30]
Konfrontimi i parë i madh mes myslimanëve dhe kuraish-itëve (ekspedita e parë ku morrën pjesë sipas disa burimeve edhe myslimanë nga Medina[31] ishte beteja e Badr-it në vitin 624. Myslimanët që kishin për qëllim të sulmonin një karvan të kuraish-itëve që ishte duke u kthyer nga Siria u befasuan nga një kurth i forcave të Mekkës të prira nga Abu Sufjan-i. Megjithëse më të paktë në numër si dhe megjithë faktin se ata ishin armatosur për një sulm kundra një karvani dhe jo për një betejë, ata dolën fitimtarë nga kjo betejë. Për këtë në kuran thuhet
„Zoti ju ka ndihmuar të fitoni (në atë kohë) në Badr, kur (ju) ishit vetëm një hordhi e vogël e papërfillshme.“ (3123)
Fitorja mbi mekkanasit në Badr pa dyshim e fuqizoi pozitën e Muhametit në Medinë; që në prill të të njëjtit vit vijoi dëbimi i banu kajnuka?-ve çifutë, të cilët jetonin si argjendarë dhe tregtarë në atë qytet, në fillim për në Vadi al-Kura, në veri të Medinës, më vonë për në Siri.
Në lidhje me humbjen e betejës së Uhud-it të vitit 625 kundra mekkanasve janë bërë zbulesa me vargje të gjata moralizuese; në suren 3, vargu 172 thuhet ndër të tjera
„Atyre që pasi pësuan disfatë, dëgjuan zotin dhe profetin, u takon (në botën e përtejme), përderisa (në botën e këtejme) të kenë qenë të drejtë dhe të përshpirtshëm, një shpërblim i madh.“ (3172)
Banu ?l-na?ir-ët çifutë, pas bisedimeve të pasuksesshme me kreun e tyre Hujajj ibn Akhtab-in, dhe pas një rrethimi të gjatë të ngulimit të tyre si dhe shkretimit të plantazheve të tyre të palmave nga trupat myslimane në gusht 625, u larguan përfundimisht nga rrethinat e Medinës me rreth gjashtëqind deve dhe u vendosën në fillim në oazin e ?aibar-it nga ku ata më vonë, më 628, u dëbuan për në Siri. Në atë kohë Muhameti u martua me ?afijja-n, të bijën e Huxhaxh ibn Akhtab-it, e cila i ra atij si pre (plaçkë lufte) dhe u bë myslimane. E gjithë sure 59 (al-hašr, „mbledhja“) i kushtohet sipas ekzegjezës së kuranit, dëbimit të banu nadir-ëve[32]
„Nëse zoti atyre nuk do t'i kishte caktuar dëbimin, do t'i kishte ndëshkuar (në mënyrë tjetër) në këtë botë. Kurse në botën e përtejme i pret ndëshkimi i zjarrit të ferrit. Sepse kanë ngritur krye kundra zotit dhe profetit të tij () (…) Nëse ju i keni rrëzuar ose jo palmat (në tokat e banu nadir-ëve), kjo ndodhi me lejen e zotit. Ai ka dashur (në këtë mënyrë) t'i përdhoste keqbërësit.“ (593–5)
Rrethimi i pasuksesshëm i Medinës nga trupat e Mekkës të përforcuara nga fise të tjera në prill 627, që nga historiografia islamike quhet si „beteja e llogoreve“ (gazvat al-?andak), përfundoi jo vetëm me tërheqjen e mekkanasve por çoi edhe në asgjesimin e fisit çifut të banu kuraiza-ve, i cili që në kohën paraislamike në juglindje të këtij qyteti merrej me bujqësi dhe (si banu nadir-ët) ishte më parë aleat me fisin arab të banu aus-ëve.[33]
Sipas historiografisë islamike (si psh. Ibn Ishak-ut), shkaku për rrethimin e fortesës së banu kuraiza-ve nga trupat e Muhametit ishte shkelja e një kontrate me Muhametin (të cilën historiografët nuk e përshkruajnë më hollësisht).[34] Nga islamologjia sot përmenden përveç shkaqeve politike dhe ekonomike para së gjithash aktivitetet tradhëtare ose paraqitja e rrezikut ushtarak (edhe pas dëbimit nga oazi) nga ana e banu kuraiza-ve dhe jo shkelja e marrëveshjes si shkak për ekzekutimin e tyre.[35] Intelektualët klerikë myslimanë anojnë nga mendimi se ky ekzekutim ka qenë i domosdoshëm për të siguruar jetën e bashkësisë së atëhershme islamike duke theksuar se fajin (e vërtetë ose të supozuar) e ka pasur Huxhaxh ibn Akhtab-i që i ka shtyrë kuraiza-t të tradhëtojnë dhe i cili duhet të vlejë kështu si përgjegjësi kryesor për këtë ekzekutim.[36]
Banu aus-ët, tashmë përkrahës (an?ar) me influencë të Muhametit, i bënë atij thirrje që të kishte ndjesë për aleatët e tyre të kohës paraislamike. Banu kuraiza-t u dorëzuan pa kushte dhe dolën nga fortesat e tyre. Muhameti ia la në dorë fatin e banu kuraiza-ve kreut të fisit të banu aus-ëve Sa?d b. Mu?a?. Ky urdhëroi që të gjithë burrat të vriten, gratë dhe fëmijët të merren robër dhe të ndahen bashkë me pronën e tyre mes myslimanëve si plaçkë lufte.
Gjatë rrethimit banu kuraiza-t kishin mbajtur qëndrim korrekt formal[37] duke u vënë në dispozicion myslimanëve gjatë punimeve të gërmimeve lopata për të hapur llogoret[38] por i kishin furnizuar edhe agresorët me ushqime[39] dhe kishin bërë edhe bisedime fshehurazi me ta.[40] Gjithashtu ata ishin përgatitur për t'i rënë në shpinë Muhametit dhe ndjekësve të tij.[41]
Kështu, zbulesa (kurani) i përmend këto ngjarje në formë rrëfimi dhe vetëm në mënyrë retrospektive duke iu referuar si „betejës së llogoreve“ ashtu edhe asgjesimit të banu kuraiza-ve
„Dhe zoti i dërgoi mbrapsht të pafetë me (gjithë) mllefin e tyre, pa pasur ndonjë dobi (dmth. agresorët nga fushata e tyre). Dhe ai i ruajti besimtarët nga lufta. Zoti është i madh dhe i fuqishëm. Dhe ai bëri që ata prej atyre të shkrimeve (çifutët), që i kishin ndihmuar ata (dmth. të pafetë), të zbresin nga fortesat e tyre duke iu futur frikën, kështu që ju mundët një pjesë t'i vrisni dhe një pjesë t'i merrni robër. Dhe ai ju dha tokat e tyre, banesat dhe pronat si trashëgim, dhe tokë që nuk e kishit shkelur (deri atëherë). Zoti e ka fuqinë për gjithshka.“ (3325–27)
Vargje të tjera të kuranit ekzegjeza e kuranit i sheh si shenjën e plotësimit të vullnetit të zotit kundra armiqve çifutë (sidomos kundra banu kuraiza-ve) të bashkësisë së myslimanëve të Medinës
„Shumë nga ata të shkrimeve, pasi ju jeni bërë besimtarë, duan t'ju bëjnë ju përsëri të pafe sepse kanë vetë zili (…) por mos ua vini re dhe jini të durueshëm, (prisni) deri sa të vijë zoti me gjykimin e tij! Ai e ka fuqinë për gjithshka.“ (2109)
Shih edhe suren 5, vargun 41 dhe 52 dhe suren 8, vargun 58 përmbajtjen e të cilave ekzegjetët e lidhin me dëbimin e banu ?l-na?ir-ëve ose me asgjesimin e banu kuraiza-ve.
Muhameti morri si plaçkë lufte ndër të tjera edhe Raij?ana-n, duke e pranuar atë si konkubinë (grua pa kurorë). Ajo thuhet sipas disa burimeve të ketë pranuar fenë islame. Asgjesimi i banu kuraiza-ve, i paraqitur për herë të parë në historiografinë e shekullit të dytë islamik, ka lënë gjurmët e tij edhe në jurisprudencën islamike, në shqyrtimin e trajtimit të robërve të luftës dhe të pasardhësve të tyre.[42]
Me asgjesimin e banu kuraiza-ve u ekzekutuan edhe anëtarët e fisit me origjinë arabe të banu kilab ibn 'amir-ëve, aleatëve të banu kuraiza-ve. Njëra nga gratë e tyre, al-Nashat-i (ose al-Shat) bint Rifa'a, u martua me Muhametin por pak më vonë u mohua (dëbua) prej tij. Ndërkohë kur gratë dhe fëmijët e banu kuraiza-ve u lejuan të skllavërohen, nuk ka të dhëna për atë se edhe al-Nashat bint Rifa'a ishte skllave. Michael Lecker[43] nxjerr si përfundim se gratë arabe që ishin marrë rob në fortesat e banu kuraiza-ve, ndoshta nuk janë skllavëruar; nga ana tjetër ka mundësi, thotë Lecker, që anëtarët e fisit të tyre t'i kenë çliruar ato me pagesë.[44]
Nga studimet islamologjike sot është bërë përpjekja të relativizohet „mizoria e pazakontë ndaj kuraiza-ve në krahasim me fiset e tjera çifute“[45] W. Arafat e ka vënë në dyshim besueshmërinë e të dhënave të historiografisë së hershme islamike mbi këtë çështje duke pretenduar se janë ekzekutuar vetëm persona të veçantë që ishin bërë fajtorë për tradhëti ndaj Muhametit.[46] Kjo tezë e tij është hedhur poshtë nga Meir J. Kister në një paraqitje të detajuar të ngjarjeve sipas shkrimeve të maghazi-t dhe sira-s.[47]
Çifutët në Medinë dhe rrethinat e saj, sipas orientalistit gjerman Rudi Paret, nuk janë luftuar dhe më vonë dëbuar ose vrarë për shkak të besimit të tyre por sepse ata, brenda bashkësisë islamike të Medinës, përbënin një grup të mbyllur homogjen, i cili mund të bëhej në çdo kohë, por sidomos në rast kërcënimi armiqsh nga jashtë, rrezik për bashkësinë e atëhershme islamike[48] dhe se gjatë çdo konflikti të armatosur me kuraish-itët kishin dalë si aleatë shumë të dyshimtë.[49] Paret-i thekson këtu se Muhameti nuk ka ndërhyrë kurrë kundër popullsisë çifute të Yathribit në përgjithësi por kundra fiseve të veçanta çifute.[50] Banu kuraiza-t janë ekzekutuar, sipas William Montgomery Watt, pasi qëndrimi i tyre gjatë betejës së llogoreve u pa si tradhëti ndaj bashësisë së Medinës; Muhameti nuk ishte i gatshëm të toleronte një qëndrim të tillë dhe vendosi të mënjanonte këtë pikë të dobët.[51]
Mbi strategjinë ushtarake të Muhametit, Paret gjykon si më poshtë[52]
„Muhameti duhet matur me kriteret e kohës së tij. Pasi kuraiza-t iu dorëzuan atij pa kushte, ai sigurisht që kishte të drejtën, sipas zakoneve të kohës, të mos jepte falje. Sado e çuditshme dhe çnjerëzore që kjo të duket, në opinionin publik ai është bërë fajtor për faktin që ai ka urdhëruar të priten palmat e banu na?ir-ëve, ndërsa për atë që ka bërë që brenda një dite të vetme të kalojnë në tehun e thikës një gjysëm mijëshi çifutë, jo.“
Kjo tezë e mbështetur nga disa studiues, sipas së cilës ky ekzekutim, duke marrë parasysh vendin dhe kohën, nuk paraqet ndonjë gjë të veçantë, është vënë në dyshim së fundi nga Michael Lecker.[53]
Al-Hudaibija dhe pushtimi i Mekkës
Në vitin e gjashtë pas mërgimit në Medinë u zhvilluan kontaktet e para të Muhametit me përfaqësuesit e kuraish-itëve nga Mekka; në mars 628 themeluesi i fesë bashkë me ndjekësit e tij bëri një udhëtim për në Mekkë për të kryer atje pelegrinazhin e vogël ('umra-n), për të cilën mekkanasit arritën ta pengojnë duke rënë me të në ujdi për një marrëveshje me rëndësi në afërsi të kufirit me zonën e shenjtë të Mekkës, afër al-Hudaibija-s. Kjo marrëveshje përmbante pesë pika të rëndësishme
Armëpushim për dhjetë ose (sipas disa burimesh të tjera) dy vjet;
Siguri për myslimanët që do të donin të kryejnë në të ardhmen pelegrinazhin ose do të ndodheshin në udhëtime tregtare në jug;
Garanci për siguri nga ana e Muhametit për kuraish-itët gjatë udhëtimeve të tyre tregtare në veri;
Dorëzimi tek mekkanasit i atyre skllevërve myslimanë që do të arratiseshin pa lejen e të zotërve të tyre;
Heqja dorë nga pelegrinazhi në vitin e marrëveshjes e lidhur kjo me garancinë për t'u mbajtur në vitin e ardhshëm.
Nëpërmjet kësaj kontrate kuraish-itët e Mekkës e njohën Muhametin si palë të barabartë bisedimesh por veç jo si profet.[54]
Ky dokument i ruajtur deri sot mban emrin e Muhametit si Muhammed b. ’Abdallah pa shprehje islamike shtesë. Por gatishmëria e Muhametit për t'i dorëzuar Mekkës të gjithë myslimanët nga Mekka të arratisur në Medinë shkaktoi trazira. (Shih për këtë Çështja e Abu Basir-it dhe e ndjekësve të tij pas marrëveshjes së al-Hudaibija-s).
Tërheqja e Muhammedit dhe anulimi i i 'umra-s ishte një shkak tjetër për pakënaqësinë në rradhët e ndjekësve të tij. E gjithë sure 48 (al-fath = suksesi) trajton vetëm këto ngjarje historike. Vetëm se zbulesa flet këtu për një sukses ose fitore („fath“) të myslimanëve që shihet jo vetëm si sukses diplomatik por (sipas vështrimit retrospektiv të historiografisë islamike dhe ekzegjezës së kuranit) edhe si shenjë në drejtim të pushtimit të oazit të Khaibar-it që pasoi më vonë, të dëbimit të banu al-nadir-ëve çifutë (maj-qershor 628) dhe të ndarjes së plaçkës së luftës mes myslimanëve të pakënaqur që prej al-Hudaibija-s. Në fund të kësaj sure formulohet pozita e Muhametit më qartë se kurdo më parë
„Muhameti është i dërguari i zotit. Dhe ata që janë me të (besimtarë), janë të ashpër me të pafetë por mes tyre me ndjesë.“ (4829)
Bazat për pushtimin e Mekkës dy vjet më vonë u vendosën që në al-Hudaibija. Çifutëve të pasur të Khaibar-it dhe aleatëve të tyre arabë, Muhameti u kishte lejuar në fakt të vazhdonin të kultivonin oazin e marrë tashmë në dorë nga myslimanët por duke u vënë me kusht që gjysmën e të korrave t'ua dorëzonin rreth 1600 myslimanëve, të cilët kishin marrë pjesë në fushatë. Pjesa e Muhametit ishte 1/5 e gjithë plaçkës. Por meqë kushtet e vendosura nga Muhameti, të cilat do të thonin de facto shfuqizimin politik dhe ekonomik të grupeve çifute në Khaibar dhe zonat rreth tij, nuk u përmbushën, çoi kjo në dëbimin përfundimisht të tyre nga rajoni. Dëbimi i të gjithë çifutëve nga Hixhaz-i (Higaz) do të bëhej më vonë detyra kryesore e kalifit të dytë Umar-it.
Pas pushtimit të Khaibar-it (maj 628) Muhameti me tashmë 2000 ndjekësit e tij bëri në mars 629 udhëtimin për në Mekkë për të kryer (siç ishte përcaktuar në marrëveshjen e al-Hudaibija-s) pelegrinazhin e vogël (umra-n). Mekkanasit ishin larguar për tre ditë nga qyteti për të evituar të papritura të mundshme në shenjtërore. Pasi disa pjesëtarë të familjeve me influencë kishin konvertuar në myslimanë, ndër ta dy talentët ushtarakë Halid ibn al-Valid-i dhe 'Amr ibn al-'As-i, të cilët do të dalloheshin gjatë fushatave pushtuese pas vdekjes së Muhametit (shih artikujt Luftërat e ridda-s dhe Ekspansioni islamik), pushtimi i Mekkës ishte vetëm çështje kohe. Në janar 630 ushtria myslimane e organizuar mirë u drejtua për në Mekkë si pasojë e shkeljes së marrëveshjes së lartpërmendur nga ana e mekkanasve[55]. Muhameti u siguroi të gjithë atyre amnisti që nuk kishin marrë pjesë në qëndresën e armatosur kështu që Mekka u morr nga myslimanët gati pa gjakderdhje; 28 mekkanas u vranë në luftim kurse të tjerët u arratisën. Muhameti qëndroi dy ose tre jave në Mekkë, lau shenjtëroren (kaaba-n, Qabenë) si dhe hoqi dhe shkatërroi të gjitha statujat e perëndive si nga kjo shenjtërore ashtu edhe nga shtëpitë private. Në rrethinat e qytetit ai shkatërroi shenjtëroret e perëndive al-manât dhe al-'uzza dhe u bëri thirrje fiseve beduine të pranojnë fenë islame.
Fiset më të mëdha rreth Mekkës dhe al-Ta'if-it (Thakif ose Havâzin) u shfuqizuan në janar 630. Këta të fundit arritën të thyhen nga trupat myslimane vetëm me shumë zor në al-Hunain gjatë rrugës për në al-Ta'if, gjë për të cilën informon kurani vetë:
„zoti ju ka ndihmuar (që megjithatë) të fitoni në shumë, (ashtu si) edhe në ditën e Hunain-it, atëherë (kur) turma juaj (e madhe) ju pëlqeu (duke ju bërë të vetësigurtë). Por ajo nuk ju vleu aspak, dhe ju u frikësuat e u brengosët. Dhe i kthyet shpinën (armikut, morrët arratinë). Pastaj zoti çoi nga lart sakina-n të dërguarit të tij dhe besimtarëve dhe dërgoi (lart nga qielli) trupa (për t'ju ndihmuar) që ju nuk i patë me sy dhe i ndëshkoi të pafetë. Ky është shpërblimi për ata që janë të pafe.“ (9:25–26)
Shkatërrimin e statujës së perëndeshës kryesore al-lât-it, në Ta'if, e morri përsipër një ish-armiku i Muhametit, Abu Sufjân-i, i cili, në prag të pushtimit të Mekkës bashkë me prijës të fiseve dhe klaneve të tjera, kishte konvertuar në fenë islame.
Pas fitoreve ushtarake në jug pasuan fushata më pak të suksesshme në veri, deri afër kufirit jugor të Perandorisë Bizantine, në Tabuk, të cilat, si ekspedita plaçkitëse, përfunduan pa rezultat. Kjo fushatë e vitit 629 e kryesuar nga Muhameti kundra bizantinëve dhe para së gjithash kundra aleatëve të tyre arabë por që në të cilën shumica e medinasve dhe beduinët që kishin marrë fenë islame nuk morrën pjesë, ka precipituar në vargjet e cituara shpesh të sures 9 (at-tauba) si deklaratë lufte ndaj botës së jashtme jo-myslimane:
„Luftoni kundra atyre që nuk besojnë tek zoti dhe në ditën e gjyqit të mbramë që nuk ndalojnë çka ka ndaluar zoti dhe profeti i tij dhe që nuk i takojnë fesë së vërtetë si ata të cilëve u është dërguar shkrimi, (luftojini ata) deri sa të paguajnë me dorën e vet tribut (haraç) pa bërë fjalë!“ (9:29)
Ky varg dhe të tjerë që pasojnë atë, në sfondin historik të ngjarjeve të vitit 629, bëjnë thirrje për të luftuar edhe të krishterët deri sa ata të detyrohen të paguajnë tribut [56]. Këto vargje quhen edhe ayat al-xhizya, vargjet e xhizja-s,[57], shqyrtimi dhe realizimi i të cilave do t'i rezervohej jurisprudencës islamike.
Prezantimi i i Muhametit në veri pati si pasojë që disa zona të krishterësh ose çifutësh t'i nënshtrohen atij: princi i krishterë Juhannâ në Aila (ose Eilat, sot Akaba, Jordani), banorët në Adhruh-u si dhe çifutët në qytetin port Makna. Ibn Ishak-u, hartuesi më i njohur i biografisë profetike të shekullit të dytë islamik, shkruan se Muhameti, gjatë rrugës së karvanëve nga Medina për në Tabuk, la të ndërtuara 18 xhami ku më parë nuk kishte vende për falje. Në këtë mënyrë u përcaktua (edhe de iure) i gjithë rajoni verior si zonë islamike dhe si pjesë përbërëse e umma-s medinase.
Për pushtimet pas Muhametit shih Ekspansionin islamik.
Shih edhe: Xhihad-i
Përshkrimi i Muhametit a.s
Kronikat e hershme kristiane
Burimi ndoshta më i vjetër ku përmendet Muhameti është kronika siriane e Tomë presbiterit, i cili ka shkruar rreth vitit 640
Më 4 shkurt 634 në mëngjes herët, u zhvillua një betejë mes bizantinëve dhe arabëve të Muhametit.
Sipas kësaj del që Muhameti është përshkruar që nga bashkëkohësit e tij si prijës ushtarak. Në historinë anonime të Armenisë që përfundon me fitoren e Mu'avija-s I. në luftën e parë civile (656–661) dhe që mendohet të jetë hartuar nga peshkopi Sebeos, Muhameti citohet me këto fjalë (të drejtuara ndjekësve të tij)[68]
Ju jeni bijtë e Abrahamit dhe zoti do të realizojë përmes jush premtimin që ai i ka dhënë Abrahamit dhe pasardhësve të tij. Duaje zotin e Abrahamit, shko dhe merri trojet në zotërim që zoti i pat dhënë yt atë Abrahamit se askush nuk do të jetë në gjendje të të bëjë qëndresë ty në betejë sepse zoti është me ty.
Në „Chronica minora“ III., të „Corpus Scriptorum Christianorum Orientalium“ Muhameti konceptohet gjithashtu si prijës ushtarak
Në vitin 940 të Aleksandrit (dmth. 628–629) hynë Heraklios-i dhe bizantinët në Konstandinopojë. Muhameti dhe arabët çanë nga jugu duke hynë në vend dhe nënshtruar atë.
Edhe këtu del qartë se Muhameti këto fushata pushtimesh i ka organizuar dhe pjesërisht i ka kryesuar vetë. Që Muhameti e konsideronte veten si ripërtëritës i monoteizmit abrahamit, këtë e vërtetojnë edhe kronikat më të hershme kristiane të mesit të shekullit të 7-të. Ato përshkruajnë më tej se Muhameti ishte ai që „u prezantoi arabëve zotin e Abrahamit“ (siç shkruan kronisti armen Sebeos) duke u dhënë atyre ligje të reja. Gjon bar Penkaje, një murg në Mesopotaminë veriore, i cili ka shkruar, sipas të dhënave të veta, në „vitin e 67-të të sundimit të arabëve“ (dmth. 686–687)
Ata (arabët) e ruajnë aq fort traditën e Muhametit, saqë çdo njeri që i shpërfill ligjet e tij (të Muhametit) ata e ndëshkojnë me vdekje.
Në kronikën e Zuknin-it, në „Corpus Scriptorum Christianorum Orientalium“, thuhet në hyrje të përshkrimit të fesë islame
Ngaqë ai (Muhameti) u ka përshkruar atyre (arabëve) të vetmin zot dhe ata (arabët) nën udhëheqjen e tij i mposhtën bizantinët dhe ngaqë ai u ka dhënë atyre ligje sipas dëshirës së tyre, ata e quajnë atë ‚profet‘ (nbîyâ) dhe ‚të dërguar‘ (rasùlâ) të zotit
Në Evropë
Në mesjetë
Qarqet intelektuale evropiane të mesjetës dispononin një sasi të konsiderueshme të dhënash konkrete mbi jetën e Muhametit. Të dhënat nga koha e sundimit të perandorit bizantin Heraklios bënin të mundur përcaktimin e datave biografike të sakta të tij. Pema gjenealogjike mitike e tij përcaktohej sipas linjës Hagar-Ismael, gjë që përkonte me gjenealogjinë islamike. Në lidhje me ambientin rreth Muhametit si dhe me kushtet në përgjithësi në Gadishullin Arabik ishin të disponueshme këto të dhëna: mungesa e strukturave politike (shtetit), luftëra dhe plaçkitje shiheshin si karakteristike për formën e jetesës, forma të ndryshme të adhurimit të idhujve si forma të shprehjes fetare (dmth. vetitë thelbësore të jetës fisnore arabe), si dhe vendosja e grupeve kristiane dhe çifute në Arabi. Mbi jetën e Muhametit para aktivitetit të tij profetik dihej se Mekka ishte vendlindja e tij, se ai ishte rritur si jetim i adoptuar nga prindër të tjerë, se familja e tij nuk bënte pjesë ndër familjet më me rëndësi në Mekkë, se në Mekkë bëhej tregti dhe se, duke pasur lidhje me këtë, gruaja e tij e parë ishte Hadixha, gjë që e kishte çuar atë të bënte udhëtime të largëta. Mesjeta evropiane kishte informacione edhe për kontaktet e tij me persona të pasionuar fetarë që ishin mundësuar gjatë këtyre udhëtimeve, kështu për shembull mbi takimin legjendar të tij me Bahira-n dhe kontaktet e tij me hanif-ët. Këto kontakte shiheshin si baza e lidhjeve që kishte zbulesa kuranike me temat biblike.
Emërimi i tij relativisht i vonë si profet gjithashtu dihej ashtu si dhe fakti se ai e kishte provuar këtë emërim pjesërisht si një presion të madh fizik dhe psikologjik dhe se ai e kishte perceptuar kryengjëllin Gabriel si sjellës të mesazheve hyjnore. Njohuritë se Muhameti e konsideronte veten si përçues ekskluziv (i vetëm) i mesazheve hyjnore (latinisht missus, nuntius, legatus, apostolus), si qenie thjesht njerëzore pa aftësi të mbinatyrshme, kjo përputhej gjithashtu me trashëgiminë islamike. Mbi karakterin e përgjithshëm të zbulesave fetare të tij dihej se përveç paralelizmave (ngjashmërive) me traditën e dhjatës së vjetër dhe të re, një rol qëndror luante monoteizmi (edhe në kontraditë antagoniste (armiqësore) me ambientin politeist), se në gjyqin e mbramë do të shpallej një gjykim dhe se rregullat hyjnore kishin të bënin edhe me botën e këtejme, kështu që në Evropën e krishterë kurani quhej shpesh si lex (lexo: leks) (ligj).
Pikënisjet e trashëgimisë për Muhametin që qarkullonin në mesjetën evropiane e kishin prejardhjen nga njëra anë nga Bizanti, nga ana tjetër nga të krishterët mozarabë që jetonin nën sundimin islamik në Spanjë. Njohuritë e hollësishme të bizantinëve mbi Muhametin dhe islamin e hershëm depërtuan në perëndim përmes ndërmjetësimit të Anastasius Bibliothecarius-it, (lexo: Anastásius Biblotekárius) i cili kishte kopjuar chronographia-n (lexo: kronográfia) e kronistit bizantin Theophanes (lexo: Theófanes), i cili kishte nga ana e tij njohuri mbi fenë islame të hershme. Por burimi shumë më i rëndësishëm ishte Spanja. Që në shekullin e 9-të Eulogji i Kordovës në polemikën e tij kundra fesë islame ka shkruar hollësi biografike mbi jetën e Muhametit por që të cilat është e vështirë se mund të jenë bërë të njohura jashtë Spanjës jugore. Ndryshe nga ato, shumë të përhapura kanë qenë të dhënat e dialogi (dialogëve) të Pjetër Alfonsit, një çifuti të konvertuar në të krishter. Petrus Venerabilis (lexo: Venerábilis), i cili ka qenë abati i Cluny (lexo: Klyní), Francë, kishte urdhëruar përkthimin e përmbledhjes së Pjetër Alfonsit me qëllimin e hartimit të një vepre të hollësishme për hedhjen poshtë të fesë islame.
Profecia biblike ndaj Hagar-ës (bibla, zanafilla, 16,12 dhe 21,13), të cilës i parathuhen pasardhës të shumtë por të egër dhe luftarakë, është përdorur që prej Izidorit të Seviljes dhe Beda Venerabilis-it në polemikën e tyre kundra Muhametit për një paraqitje negative të arabëve dhe saraçenëve: si pasardhës i një populli primitiv, barbar që nuk njeh as ligj as shtet dhe përveç kësaj që praktikon një politeizëm të shfrenuar, nuk mund të jetë caktuar kurrësesi si profet. Analfabetizmi i tij që në traditën islamike është sjellë si argument i vlefshëm për origjinën hyjnore të zbulesës kuranike, i shërbente në perëndim, (ku ai njihej afërsisht që prej 1100-ës), argumentit të kundërt: si person me prejardhje familjare të thjeshtë, i rrethuar nga idhujtarë dhe madje analfabet, Muhameti duhet të ketë qenë pre e lehtë mashtrimesh. Duke plotësuar këtë, ishin edhe versionet e rrëfimeve të ndryshme mbi marrëdhëniet e tij me persona fetarë të pasionuar, të cilët për shkak të naivitetit të tij si i paditur, i kanë shitur atij ide heretike kristiane dhe hebreike për fe të vërtetë, një motiv ky që ishte përçuar në perëndim që prej Ioannes Damascenus-it. Teoria, sipas së cilës "Muhameti duhet të jetë gënjyer nga persona të dyshimtë", ka qenë mbizotëruese në qarqet intelektuale të mesjetës evropiane duke e parë kështu fenë islame si një herezi kristiane, ndërsa paraqitja e Muhametit si pjesë e një panteoni politeist islamik, ka qenë një temë që dilte vazhdimisht në përfytyrimin "popullor" mesjetar të Muhametit në Evropë. Në lidhje me këtë ngrihej edhe teza absurde se Muhameti ka qenë në të vërtetë një prift i krishterë ose madje kardinal që, për arsye ambicjeje ka braktisur kristianizmin dhe duke krijuar një sekt të ri, ka realizuar qëllimet e tij.[70]
Në letërsinë mesjetare Muhameti përmendet për herë të parë në epet kreshnike të vjetra franceze. Në eposin e Rolandit (prej vargut 2590) ai përshkruhet si idhull, figurën e të cilit luftëtarët saraçenë e marrin me vete në betejë dhe pas disfatës (humbjes) e përdhosin. Edhe në letërsinë gjermane të mesjetës së mesme, në epikën në vargje të Willehalm-it të Wolfram von Eschenbach-ut si dhe në Rennewart të Ulrich von Türheim-it, Muhameti përshkruhet si idhull. Në letërsinë mesjetare angleze Muhameti portretohet në tregimin e Piers Plowman-it të William Langland-it si kardinal renegat (tradhëtar) ndërsa në tregimin e Off Machomet the false prophete në Fall of Princes të John Lydgate-it ai paraqitet si heretik dhe profet i rremë.
Në kohën e re
Në fillim të kohës së re u vazhduan pa ndryshim vlerësimet negative teologjike si dhe përshkrimet fantastike të mesjetës. Në komentin e përkthimit të tij të Confutatio alcorani (Hedhja poshtë e kuranit) të fratit domenikan Rikardit, Martin Luther-i e cilëson Muhametin si pjellë demoni (djalli), megjithëse përçmimi i tij për të nuk ishte aq sa për Papën, meqënëse Muhameti i luftonte hapur të krishterët nga jashtë. Një vlerësim më pak i njëanshëm shfaqet për herë të parë tek humanistët francezë Guillaume Postel-i dhe Jean Bodin-i, në Heptaplomeres-in e tij. Një shekull më vonë kjo tendencë vazhdohet në Historia orientalis të orientalistit zvicerian Johann Heinrich Hottinger, megjithëse edhe ai vazhdon të përdorë shumë paragjykime kristiane.
Pasi luftërat turke kishin marrë për osmanët që në shekullin e 17-të një kthesë me disfata të shumta dhe duke mos pasur më rrezik akut për fuqitë e mëdha evropiane, u shtua tek to gatishmëria për ta parë Muhammedin dhe fenë islame nga një këndvështrim tjetër. Në fillim ishte Leibniz-i (lexo: Lájbnic) i cili prezantoi në „Theodizee“-në e tij më 1710 një imazh pozitiv të profetit, pasi ky nuk ishte larguar nga „feja natyrore“. Historiani francez Henri de Boulainvilliers e ka përshkruar Muhametin në biografinë e tij La Vie de Mahomet (Jeta e Muhametit) që është botuar më 1730 postume në Londër, si ligjvënës dhe pushtues gjenial si dhe monark të drejtë dhe tolerant. Prej kësaj paraqitjeje është ndikuar edhe Voltaire (Volteri), i cili në Essai sur les moeurs (Ese mbi zakonet) dhe Dictionnaire philosophique të tij, e ka përshkruar Muhametin si pushtues, ligjvënës, sundimtar dhe prift të suksesshëm duke e paraqitur atë madje si mbrojtës të tolerancës. Me gjykimin pozitiv të Volterit ka qenë pjesërisht edhe historiani anglez Edward Gibbon-i, megjithëse ky luhatet në gjykimin e tij ndërmjet dënimit dhe respektimit. Historiani Thomas Carlyle ka shkuar edhe më tutje duke i atestuar Muhametit në referatin e tij The hero as Prophet. Mahomed: Islam rreth vitit 1840, zemërgjerësi dhe modesti duke e parë martesën e tij me Hadixha-n si një argument kundra akuzës së sensualitetit (epshit) dhe të ambicjes si dhe duke përligjur përdorimin e armëve për mbrojtjen e fesë. Tragjedia e Volterit Le Fanatisme ou Mahomet le Prophète („Fanatizmi ose profeti Muhamet“) u hoq më 1742 nga plani pas tre shfaqjeve në Paris si pasojë e presionit nga ana e klerit, pasi censori kishtar Crébillon si dhe pjesë të klerit katolik kishin kuptuar se me fanatizmin fetar dhe hipokrizinë mashtruese të paraqitura tek personazhi i Muhametit, bëhej në të vërtetë aludim për kishën kristiane. Plani i Goethe-s (Gëtes) i përshkruar në „Dichtung und Wahrheit“ (Poezia dhe e vërteta) „për të vënë si dramë në skenë jetën e Muhametit, të cilin unë s'kam mundur ta shoh veçse si mashtrues, rrugën e të cilës e kam parë vetë në mënyrë aq reale, dhe që e cila çon jo në shpëtim por në rrënim,“[71] nuk u realizua.
Opozita në Medinë kundra Muhametit
Opozitë kundër Muhametit dhe ndjekësve të tij në Mekkë kishin formuar si çifutët e vendosur në Medinë dhe rreth saj ashtu edhe klane arabe me influencë si Banu Aus Allah, të cilët, ndryshe nga anëtarët e tjerë të fisit, i bënë Muhametit për disa vite qëndresë.[58] Në fakt, nga studiuesit theksohet përhapja e shpejtë e fesë islame atje që përpara ardhjes së Muhametit në këtë qytet,[59] por pa injoruar edhe faktin se ka pasur edhe grupe me influencë në rradhët e medinasve, konvertimi i të cilëve në fenë islame ndodhi vite më vonë.[60] Përveç informacioneve përkatëse të shkrimeve të sira-s dhe maghazi-t, dëshmojnë edhe gjenealogët e hershëm islamikë kontaktet e ngushta të Aus Allah me fiset çifute të Banu 'n-Nadir-ëve dhe Banu Kainuka'-ve, të cilët, me qëndrimin e tyre kundërshtues ndaj fesë islame, duhet të kenë ushtruar ndikim të fortë. Ata nuk e kanë pranuar fenë islame deri më 626–627.[61]
Politika kundra fiseve çifute manifestohej në kërcënimin për shpronësim nga toka dhe pasuria gjë që është trashëguar si në historiografi ashtu edhe në përmbledhjet autentike të hadith-it të al-Bukhari-t dhe Muslim ibn al-Haxhaxh-it dhe me të cilën më vonë arsyetohet nga ana ligjore në librat e kodeve të ligjeve. Tek al-Bukhari thuhet në një rrëfim të Abu Huraira-s, shokut të profetit[62]
Kur po rrinim në xhami erdhi i dërguari i zotit tek ne dhe tha ,Ejani (me mua të shkojmë) tek çifutët‘. Ne dolëm dhe morrëm rrugën deri sa arritëm tek shkollat (sinagogat) e tyre. Aty profeti u doli atyre përpara dhe u thirri ,Çifutë! Pranojeni islamin dhe do t'i keni punët mirë.‘ Ata ia kthyen ,Abu 'l-Kazim, ti ke prurë lajmin.‘ Ai iu përgjigj ,Këtë dua edhe unë‘ dhe u thirri për herë të dytë, kurse çifutët u përgjigjën ,Abu 'l-Kazim, ti ke prurë lajmin.‘ Dhe ai u thirri për herë të tretë duke thënë ,Ta dini se toka i takon zotit dhe profetit të tij dhe unë do t'ju dëboj (prej këtu). Kush prej jush ka pronë, ta shesë. Në rast se ai këtë nuk e bën, ta dini se toka i takon zotit dhe profetit të tij.‘
Këtu janë vendosur për herë të parë idetë kryesore për normat e mëvonshme ligjore, sipas të cilave (siç thuhet se ka thënë në shtrat Muhameti përpara se të vdiste) nuk duhet lejuar të ketë dy fe të ndryshme në Gadishullin Arabik. Ky parim është vënë më vonë në jetë nga kalifët e parë.[63]
E ashtuquajtura „shenjtërorja e mujshisë“
Opozita në radhët e klanit gjithashtu medinas të 'Amr b. 'Aus, përmendet në suren 9, vargu 107–108 dhe në trashëgiminë përkatëse të ekzegjetëve.
Dhe përsa u përket atyre, të cilët kanë (bërë një shenjtërore të vetën), për të munduar (profetin), dhe për t'iu dhënë pafesisë (mosbesimit) dhe për të nxitur armiqësimin mes besimtarëve dhe si bazë () për (disa) njerëz që më parë kanë luftuar zotin dhe të dërguarin e tij dhe ata betohen sigurisht se e kanë bërë këtë me qëllim të mirë. Mos hyr kurrë aty (për t'u falur)! Një shenjtërore që është ngritur që në ditën e parë mbi devotshmërinë ndaj zotit, e meriton këtë më shumë …
Formulimi i të gjithë kësaj sureje datohet nga ekzegjeza me vitin 630, ndërsa vargu i mësipërm është bërë pas kthimit të Muhametit nga ekspedita ushtarake në Tabuk kundra bizantinëve në kufirin sirian.[64]
Ky varg i kuranit nxjerr në pah rivalitetin ndërmjet dy xhamive në Medinë. Në njërën anë ishte xhamia ose shenjtërorja e profetit që ishte „ngritur mbi devotshmërinë ndaj zotit“, dhe në anën tjetër xhamija ose shenjtërorja „e mujshisë“ (mundimit, torturës, masxhid ad-dirar, arabisht ???? ?????? = masgidu ??-?irar) që thuhet të jetë ngritur në një vend tjetër në Medinë, sipas rrëfimeve kundërthënëse[65] të Abu 'Amir-it, një hanif-i të njohur nga Medina dhe kundërshtar i Muhametit, me qëllim që falja të bëhej jo në xhaminë e Kuba?-s së profetit por në xhaminë e vet të përkushtuar klanit të 'Amr ibn 'Aus. Në ekzegjezën më të vjetër bëhet fjalë për një shenjtërore të 'skuthëve' (hipokritëve) (munafikun), për shkatërrimin e të cilës Muhameti thuhet të ketë urdhëruar kur u kthye nga ekspedita në Tabuk dhe pas zbulesës së vargjeve të mësipërme të kuranit.[66]