top of page

Lindja e fesë islame
Shih artikullin kryesor Muhameti
Muhamedi (a.s) (arabisht i lartë-lëvduari, i shumë-lëvduari) ka lindur rreth vitit 570 pas Krishtit si biri i një tregtari nga fisi i kuraish-ëve në Mekkë, në Arabinë Saudite të sotme. Sipas trashëgimisë islame, atij iu shfaq në moshën rreth 40 vjeçare për herë të parë kryengjëlli Gabriel, i cili i diktoi në vazhdim të jetës së tij për vite me rradhë vargjet e zbulesës hyjnore, Kuranin. Zbulesat e Muhametit u mblodhën dhe u kontrolluan vazhdimisht që gjatë kohës kur jetonte ai dhe së fundi, nën sundimin e Uthman ibn Affan-it, i të tretit të të ashtuquajturve kalifëve legjitimë, u mblodhën e u kanonizuan. Shpallja e mesazhit të një monoteizmi pa kompromise gjeti vetëm pak simpatizantë në Mekkën politeiste të asaj kohe, kështu që komuniteti i ri mysliman e pa veten të detyruar nën presionin e kundërshtarëve të braktisë Mekkën dhe të mërgojë në veri, në Yathrib (sot Medinë). Kjo ngjarje hyri në histori si hixhra (ose hixhreti) dhe u caktua me vendim të kalifit të dytë Umar ibn al-Chattab-it si viti i parë i erës islame.

Në Yathrib filloi në këtë kohë karriera ushtarake dhe politike e profetit. Menjëherë pas mbërritjes në këtë oazë, Muhameti lidhi një kontratë aleance me banorët e atjeshëm, të ashtuquajturën "marrëveshjen e Medinës" Më pas vijuan përballje ushtarake me kuraish-ët paganë: sulmimet e organizuara nga profeti mbi karvanët çuan në betejën e Badr-it, e cila u pasua nga ajo e Uhud-it. Si sulmi i madh i fundit nga ana e kuraish-ëve mbi Medinën ishte e aushtuquajtura beteja e llogoreve.

Ndërkohë pati konflikte me tre fiset çifute më me rëndësi në Yathrib: banu kainuka-t dhe banu nadir-ët u përzunë nga ky oaz, ndërsa meshkujt e banu kuraiza-ve u ekzekutuan, pasuria e tyre u nda mes myslimanëve ndërsa gratë dhe fëmijët u shitën si skllevër.

Lufta e Muhametit dhe trupave të tij kundra kuraish-ëve dhe aleatëve të tyre çoi më 628 pas Kr. në një marrëveshje paqeje. Pas shkeljes së kësaj marëveshjeje nga ana e mekkanasve pasoi pushtimi i Mekkës më 630 pas Kr.[8] Kur më 632 pas Kr. profeti vdiq, territori i zotërimit islamik shtrihej mbi të gjithë gadishullin arabik.

Historia e fesë islame

Sot feja islame është e përhapur në shumë vende të lindjes së afërme, Afrikës veriore, Azisë qëndore dhe juglindore. Zona kryesore e përhapjes është brezi i thatë, i cili shtrihet nga Saharaja në perëndim, nëpër Lindjen e afërme dhe Kaukazin, deri në Azinë qëndrore në lindje. Vendi mysliman me popullsinë më të madhe në numër është Indonezia. Vende në Europë me karakter mysliman janë Bosnja dhe Hercegovina, Turqia, Shqipëria dhe Kosova. Shumë vende të tjera kanë pakica myslimane.

Konferenca islamike
Vendet islamike janë të organizuara në Organizatën e konferencës islamike (OIC), ku bëjnë pjesë edhe disa shtete me pakica më të mëdha myslimane.

Praktikimi i sharias
shih artikullin kryesor: Sharia

Sipas Deklaratës së Kairos për të drejtat e njeriut në islam të vitit 1990, sharia duhet bërë përsëri baza e legjislativës në të gjithë vendet islamike. Zbatimi në praktikë veç është shumë i ndryshëm. Në Tunizi zbatimi kufizohet vetëm në të drejtën civile ndërsa në Arabinë Saudite dhe Sudan ajo është plotësisht në fuqi. Sharia parimisht nuk njeh barazinë mes myslimanëve dhe jo-myslimanëve si dhe mes burrit dhe gruas.

Në Arabinë Saudite, në Sudan, në Iran, Somali dhe në pjesë të Pakistanit (rajone fisesh nën admistratën qendrore federale), sharia vlen pothuaj pa kufizim. Në Egjipt, Jordani, Indonezi, Marok dhe shumë vende të tjera sharia praktikohet pjesërisht, psh. ndalimi i martesës së një myslimaneje me një jo-mysliman ose lejimi i poliginisë sipas rregullave islamike. Megjithatë në shumë shtete realiteti social në pjesë të shoqërisë është i tillë që sharia vazhdon të zotërojë në shumicën e fushave të jetës. Kështu psh. ekziston poliginia (që nuk njihet nga ana zyrtare) në zonat fshatare të Turqisë duke u amnistuar (toleruar) vazhdimisht. Në disa vende ekzistojnë përkrah vendimeve gjyqësore për myslimanë që bazohen tek sharia edhe vendime gjyqësore shekullare (jofetare) për jo-myslimanë (psh. në Nigeri).

Në disa vende islamike (psh. në Arabinë Saudite, Sudan, Iran, Nigeri) gjejnë zbatim ndëshkime veçanërisht drakoniane (shumë të rrepta), si psh. prerja publike e gjymtyrëve (gjymtimi) ose vrasja publike me gurë, psh. për vjedhje ose shkelje kurore. Këto metoda tejet të dyshimta kritikohen me forcë në mënyrë ndërkombëtare. Edhe përbrenda komunitetit islamik shprehet kritikë ndaj tyre, megjithatë jo sepse këto ndëshkime bien në shkelje me të drejtat e njeriut por sepse gjatë dënimeve të të akuzuarve kushtet mbrojtëse të përcaktuara nga sharia më së shumëti nuk merren parasysh. Në këtë kontekst duhet vënë re se ushtrimi i sotëm islamik i drejtësisë në disa vende u ofron të akuzuarve vetëm një mbrojtje shumë të pakët: shpesh ndodh që të akuzuarit janë analfabetë dhe zakonisht nuk kanë asistencë avokatore. Gjykatësit janë vetë shpesh me kualifikim të dobët dhe vendimet merren jo rrallë në mënyrë arbitrare.

Një sferë e sharias që vazhdon të ekzistojë ende në Sudan dhe në Mauritani është skllavëria (shih Feja islame dhe skllavëria).

„St. Petersburg Declaration“
Si fillimi i një „epoke të re të iluminizmit për fenë islame“ e konsideroi veten më 4 dhe 5 mars 2007 në Saint Petersburg (Florida, SHBA) një konferencë myslimanësh shekullarë nga vende të ndryshme islamike dhe perëndimore, e cila u morr me interpretimin shekullar të fesë islame, me domosdoshmërinë e një kritike të brendshme të kuranit, me gjendjen aktuale të lirisë së mendimit në shoqëritë myslimane dhe me çështje të edukimit. Iniciatorë ishin ndër të tjerë myslimanë disidentë si Ayaan Hirsi Ali, Irshad Manji dhe Ibn Warraq. Në përfundim u nënshkrua e ashtuquajtura „St. Petersburg Declaration“ (Deklarata e Saint Petersburg-ut), ku ndër të tjera kërkohet ndarja e shtetit nga feja, respektimi i të drejtave universale të njeriut, abrogimi (heqja) e sharias dhe e gjithë ndëshkimeve me vrasje dhe praktikave gjymtuese si edhe barazia e plotë e të drejtave të gruas në fenë islame dhe në vendet islamike.

Rrymat e ndryshme
Sunnitët
Feja islame është e ndarë në disa rryma. Sunnitët përbëjnë me rreth 85 përqind grupimin më të madh në numër.[21] Këta ndahen gjithashtu në drejtimet juridiko-fetare sunnite të hanafitëve, malikitëve, hanbalitëve dhe shafiitëve. Rryma e quajtur e vahhabitëve nuk është drejtim juridiko-fetar por ajo përdor atë të hanbalitëve.

Këto drejtime janë shpesh të shtrira gjeografikisht; kështu jetojnë psh. hanafitët në Turqi, malikitët në Afrikën veriore.

Dallimet mes tyre dhe rrymës së dytë për nga madhësia, ndjekësit e të cilës quhen shiitë, qëndrojnë në bindjen, në bazën e të cilës mbështetet pushteti i krerëve më të lartë (i kalifit tek sunnitët, i imamit tek shiitët). Për sunnitët kalifi është kreu që zgjidhet nga ndjekësit e tij për aftësitë e tij laike, administrative. Kurse për shiitët imami mund të jetë vetëm një trashëgimtar legjitim i Muhametit dhe njëkohësisht edhe trashëgimtar i Aliut (i dhëndrit të Muhametit). Ndërsa kalifi pra është vetëm një mbrojtës laik i komunitetit fetar, paraqet imami për shiitët një prijës të pagabueshëm, të përkryer fetar, të pajisur me pushtet hyjnor. Atij i atribuohet (i njihet) edhe pamëkatësia. Nga këto fakte del se brenda grupimeve shiite kreu fetar i komunitetit ka një autoritet shumëfish më të lartë.

Shiitët
Shiitët janë rryma e dytë e madhe. Rryma kryesore e tyre janë imamitët ose shia dymbëdhjetëshe, të cilët janë të përhapur shumë sidomos në Iran, Irak, Azerbaixhan, Bahrain dhe në Liban. Mandej janë ndjekësit e shias shtatëshe (ismailitët), që jetojnë kryesisht në subkontinentin indian (Mumbai, Karaçi dhe Pakistanin verior) si dhe në Afganistan dhe Taxhikistan. Zaiditët ose shia pesëshe gjenden sot vetëm në Jemen.

Harixhitët
Harixhitët, të ashtuquajturit „të shpërngulurit“, të cilët kanë braktisur partinë e kalifit të katërt Ali ibn Abi Talib, qenë ndjekësit e sektit më të vjetër fetar në islamin e shekullit të 7-të. Ata hidhnin poshtë si legjitimacionin e Aliut si kalif ashtu edhe të Uthman ibn Affan-it. Levizja e tyre është shuar që nën kalifët e parë abbasidë. Dega e tyre kryesore është rryma më e vogël e islamit, ibaditët. Ata jetojnë sidomos në Oman, në Saharanë algjeriane (Mzab) dhe në ishullin tunizian Xherba.

Sufizmi
Ashtu si gati të gjithë fetë ose rrymat fetare edhe feja islame ka një aspekt të brendshëm (ezoterik) dhe një të jashtëm (ekzoterik). Dimensioni mistik i brendshëm i fesë islame është sufizmi (arabisht ???? = tazavuf). Aspekti i brendshëm quhet edhe tarika, i jashtmi shari'a. Sipas kuptimit të sufive, këto dy aspekte janë të lidhur në mënyrë të pandashme me njëri-tjetrin. Si shembull përdoret simboli i një llampe vajguri flaka e llampës simbolizon tarikën, pra esencën e fesë, e cila pa mbrojtjen e qelqit do të shuhej që me flladin e parë. Qelqi, dmth. mbështjellja, simbolizon shari’an, por që e cila pa flakë, (vetëm llampa), nuk do të kishte kuptim.

Nga grupet puritane, si të vahhabitëve, sufit cilësohen shpesh si heretikë dhe prandaj hidhen poshtë ose madje përndiqen. Ndër të tjera kritikohen praktika fetare si dhikr-i, e cila shoqërohet shpesh me muzikë dhe lëvizje të trupit (që nuk duhen parë si vallëzim); dëshira e sufive, për të provuar që në botën e këtejme një lidhje me zotin dhe fakti që për të përshkuar rrugën sufiste, duhet patjetër një mësues spiritual real një sheik ose vali, në Afrikën perëmdimore të quajtur edhe marabout. Këta udhërrëfyes fetarë hidhen poshtë nga ana e teologëve islamikë ortodoksë pasi në fenë islame nuk mund dhe nuk lejohet të ketë një ndërmjetës mes njeriut dhe zotit. Sufit vetë veç nuk e shikojnë sheikun si ndërmjetës por si dikë që i njeh vështirësitë e rrugës për tek zoti dhe që mund t'u japë të tjerëve dijenitë e tij.

Grupime të tjera
Nga islami sunnit kanë dalë 

ahmadiyya-t
Nga islami shiit

alevitët
druzët
babistët, prej vitit 1863 bahaitët

Marrëdhëniet me fetë e tjera
Politeizmi
Dëshmimi i tauhid-it (të qënit një të zotit) dhe hedhja poshtë e kultit të idhujve që rrjedh nga kjo, është parimi më me rëndësi i besimit të fesë islame. Politeizmi (shumëperëndi) është krejtësisht në kundërshtim me doktrinën rreptësisht monoteiste të fesë islame sipas të cilës ekziston vetëm një zot dhe se politeizmi paraqet mëkatin më të madh.[23] Sipas zbulimit kuranik është adhurimi i perëndive të tjera krahas zotit i vetmi mëkat që nuk mund të falet në asnjë mënyrë.

„Zoti nuk të fal kur i vë atij përbri (perëndi të tjera). Çka është poshtë kësaj (dmth. mëkatet më pak të rënda) ai ia fal kujt të dojë. Dhe kush (të vetmit) zot i vendos (perëndi të tjera) përbri, ka humbur (rrugën e drejtë)“. 4116. Shih edhe 448 si edhe 3113.
Kurani kritikon në shumë vende të tjera në mënyrë vehemente adhurimin e qenieve të tjera në vend të zotit.[24] Në botën e përtejme, sipas besimit islamik, idhujtarët (politeistët), do të dënohen me hyrjen në ferr (xhahannam), (xhehenem).

Fetë abrahamite
Gadishulli arabik, me anë të fesë islame, duke braktisur kultin e gurit të deriatëhershëm në Mekkë, iu bashkua formave të besimit judaik (hebre) dhe kristian. Në lidhje me prejardhjen e saj feja islame i referohet Abrahamit, bën pjesë pra bashkë me judaizmin dhe kristianizmin tek fetë abrahamite. Të tre këto janë fe monoteiste. Meqenëse ato bazohen tek zbulesat e profetëve (Moisi, Jezu Krisht dhe Muhamet), janë fe zbulesash, dhe sepse këto zbulesa janë fiksuar me shkrim, janë edhe fe librash.[25]

Referimi i përbashkët tek Abrahami është theksuar prej Muhametit në fillim të profetisë së tij. Gjatë jetës së mëvonëshme, për shkak të përvojës së tij në praktikë me komunitetet fetare çifute dhe kristiane, profeti e ndryshoi qëndrimin e tij ndaj tyre. Qëndrimi i ndryshuar i Muhametit kundrejt besimtarëve të feve të shkrimeve është trajtuar disa herë nga islamologjia.[26] Fillimisht ai priste prej besimtarëve të feve të shkrimeve që ata të njohin profetinë e tij dhe të konvertojnë (ndërrojnë fenë) në fenë e tij; kur kjo nuk ndodhi, qëndrimi i Muhametit kundrejt besimtarëve të feve të librave filloi të ndryshonte gjithnjë e më tepër në anën negative. Ky ndryshim pikëpamjeje ka lënë gjurmët edhe në kuran, ku në fillim virtytet e tyre fetare dhe morale shiheshin me respekt të madh dhe prej Muhametit kërkohej që me ta të mbaheshin marrëdhënie të mira. Pas prerjes së marrëdhënieve me komunitetet e këtyre feve u theksua ndaj tyre akuza e hipokrisizë dhe refuzimi i tyre për të pranuar islamin si fe; për këtë arsye ata nuk duheshin parë si aleatë por duheshin luftuar.[27] Sipas Muhametit, judaizmi dhe kristianizmi ishin zhvillime të mëtejshme të gabuara të fesë së vjetër së përbashkët.[28]

Ndërsa feja islame ka të përbashkët me judaizmin dhe kristianizmin besimin tek një zot i vetëm si dhe të referuarit tek Abrahami dhe shumë profetë të tjerë biblikë, ajo ndryshon në thelb nga kristianizmi në refuzimin e saj strikt të doktrinës së trinisë (sure 112) dhe të përfytyrimit kristian të mëkatit të trashëguar (mëkati fillestar) kurse nga judaizmi në njohjen e Jezusit si profet, nga fetë abrahamite në përgjithësi në njohjen e Muhametit si të dërguar të zotit dhe „vulën e profetëve“ (profetit të fundit) si dhe të doktrinës së kuranit si fjalë e zotit e sjellë tek njerëzit.

Interaksioni historiko-politik me komunitetet e tjera fetare
E drejta ndërkombëtare klassike islamike e hartuar në shekujt që pasuan pas vdekjes së themeluesit të fesë, bënte dallim në trajtimin e heterodoksëve (besimitarëve të feve të tjera) ndërmjet besimtarëve të feve të shkrimeve (monoteistëve) dhe besimtarëve të feve politeiste, të cilët de iure duheshin luftuar deri në pranimin e fesë islame. Të parët kishin një status të veçantë nën komunitetin islamik si dhimmi (të mbrojtur). Ky status kishte si kusht pagimin e një takse të veçantë, xhizja-n; për këtë u garantohej atyre në të kundërt mbrojtja e jetës dhe e pronës si dhe leja për të praktikuar fenë e tyre (me kufizime të caktuara)[29] lirisht.[30] Kjo marrëveshje vlente fillimisht vetëm për çifutët dhe të krishterët por u zgjerua ndaj të gjithë thjesht jo-myslimanëve kur pushtuesit myslimanë hasën në komunitete besimesh të tjera, si psh. hindut.[31] Heterodoksët (besimtarët e feve të tjera) në zonat jo-islamike, në të ashtuquajturën shtëpinë e luftës (dar al-harb), u lejohej të qëndronin përkohësisht musta'min në zonat islamike (dar al-islam). Si banorë të dar al-harb-it ata vlenin përndryshe si armiq (harbi) që pas pushtimit të vendeve të tyre gjatë ekspansionit islamik, në fillim u duhej bërë thirrje të konvertonin (ndërronin fenë) në fenë islame. Në rast refuzimi u duhej bërë oferta e statusit të dhimmi-t (me kushtin që t'i përkisnin më parë një feje libri) dhe në rast refuzimi të kësaj oferte duheshin luftuar.[32]

Situata aktuale e bahai-tëve
shih artikullin kryesor Bahai-tët

Feja relativisht e re e bahai-tëve i plotëson në fakt kushtet e një feje libri (monoteizëm abrahamit, profet, zbulesë e fiksuar me shkrim) – njeh madje pretendimin zbulesor të Muhametit dhe respekton kuranin por nuk pranohet si fe ahl al-kitab (fe libri) në botën islamike. Doktrina e bahai-tëve, e cila përshkrimet eskatologjike të kuranit nuk i lidh me marrjen fund materialisht të botës por me zbulesat pas-islamike të bab-it dhe baha’u’llah-ut, cilësohet nga shumë teologë myslimanë si apostazi (??? ridda) (braktisje ose ndërrim feje). Përveç akuzash të tjera, fatva-t sunnite e cilësojnë fenë bahaite si lëvizje e të pafeve (kuffar-ëve) të krijuar nga jo-myslimanë për të shthurur fenë islame.[33]

Veçanërisht shumë ndiqen ata në Iranin shiit. Krye-ajatollah-u Naser Makarem Shirazi i ka stigmatizuar (damkosur) bahai-tët si „të pafe luftarakë“ (kofare harbi) që lejohet të vriten. Deputeti i parlamentit iranian Mehdi Kuchaksadeh është i mendimit se bahai-tët „duken në fakt si njerëz por nuk janë njerëz“.[34] Përkatësisht përndiqen bahaitët në Iran. Gjithashtu edhe në perëndim shiitët përpiqen t'i margjinalizojnë (përjashtojnë) bahai-tët.[35]

Nga ana tjetër ekziston një rrjet ndërkombëtar mysliman që angazhohet për të drejtat e bahaitëve.

Kritika ndaj fesë islame
Shih artikullin kryesor Kritika ndaj fesë islame

Kritikë ndaj fesë islame mbi baza politike, etike, filozofike, shkencore ose teologjike ka pasur që prej kohës së lindjes së saj. Kritikë bëhet si ndaj bazave themelore të të fesë islame ashtu edhe ndaj traditave kulturore dhe normave shoqërore të saj.

Vendet e shenjta të fesë islame
Në fenë islame vlejnë vende të shumta si të shenjta por treve prej tyre u jepet rëndësi e veçantë qyteti Mekka vlen si vendi më i shenjtë për myslimanët. Ai është vendi i lindjes së Muhametit, me kaaba-n (qabenë) si shenjtëroren (faltoren) qendrore të fesë islame, e cila jep drejtimin gjatë të falurit (kibla).

Pas saj vjen Medina, në veri të Mekkës, vendi ku feja islame shpalosi së pari ndikimin e saj politik.

Vendi i tretë i shenjtë për myslimanët është Jerusalemi që sipas traditës myslimane ka dhënë drejtimin e parë të kibla-s dhe është vendi të cilin myslimanët e kanë caktuar si pozicionin gjeografik të xhamisë al-Aksa që përmendet në kuran (sure 17 „i ngjitjes në qiell të profetit Muhamet“).

Mandej ekzistojnë një numër i madh vendesh pelegrinazhi me rëndësi të ndryshme. Këto janë kryesisht varre, psh. të shoqëruesve të Muhametit, të imamëve shiitë ose të shenjtorëve sufi. Kryesues në numrin e vendeve të shenjta janë sufizmi pakistanez dhe islami popullor afrikanoverior (shih Feja islame në Afrikë) me vende adhurimi varresh. Me përjashtim të tre vendeve të para të shenjta, statusi i vendeve „të shenjta“ (si edhe adhurimi i shenjtorëve vetë) në fenë islame është një temë tejet kontroverse.

Për shiitët dhe alevitët paraqesin gjithashtu edhe qytetet Qerbela dhe Kufa vende të shenjta, ku çdo vit bëhen pelegrinazhe.

Jerusalemi paraqet në listën e vendeve të shenjta një rast të veçantë pasi pretendimi i nxjerrë nga kurani nuk bazohet në prova historike. Megjithatë ai është për myslimanët në mënyrë të njëzëshme një e vërtetë besimi duke e vendosur atë në praktikë në të njëjtën shkallë me „të vërtetën historike“.

by Florim Halimi - Drita Jetes 2016

  • Black Facebook Icon
  • Black Instagram Icon
  • Black Twitter Icon
  • Black YouTube Icon
bottom of page